Fjala përshëndetëse e Z. Nikollaq Neranxi, President i Neranxi Group
Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në eventin më të rëndësishëm të bizneseve “Neranxi”, Panairin Profesional “Neranxi food 2023”.
Kemi 16 vite që organizojmë panaire profesionale dedikuar tërësisht kulinarisë.
E nisëm duke marrë frymëzimin nga panaire të ngjashme që zhvillohen në perëndim, të adoptuara në kushtet dhe mundësitë tona.
Çdo vit “Neranxi Group” ka zgjeruar dhe përmirësuar aktivitetin dhe natyrisht që edhe panairet e kanë reflektuar këtë progres.
Por panairi nuk është një takim sporadik që ne bëjmë me klientët tanë. Siç e dini, puna jonë në shërbim të tyre është konstante, e përditshme dhe e pandalshme. E kam thënë gjithmonë dhe dua ta përsëris edhe sot. Që në ditët e para të krijimit, aktivitetet “Neranxi” nuk janë konceptuar asnjëherë si dyqane për të shitur. Misioni ynë ka qenë vazhdimisht, shërbim dhe edukim në të gjitha dimensionet dhe sidomos në asistencën teknike, ku klientët tanë njihen me risitë në çdo sektor dhe pasurojnë njohuritë e tyre të cilat më pas përkthehen në shërbime më të mira në sektorin e Hoteleri-Turizmit.
Pikërisht për këtë arsye, ky panair është thjesht një event më i madh dhe më i kompletuar dhe një kulminacion i të gjithë punës që ne bëjmë për të qenë në lartësinë e pritshmërive të klientëve tanë.
A është e vështirë të mbash një aktivitet kaq kompleks në standarte të larta?
Padyshim që është shumë e vështirë. Jetojmë në një vend ku klima e biznesit lë shumë për të dëshiruar. Institucionet të cilat duhej të ishin në krahun tonë dhe të na e bënin punën më të lehtë, gjithnjë e më shumë po sillen sikur janë kundërshtarët tanë. Politikat fiskale bëhen gjithnjë e më të egra e të papërballueshme, konkurrenca e pandershme ka lulëzuar si kurrë më parë. Biznesi i ndershëm që do të paguajë taksa, të mos ketë asnjë lidhje me përkrahjen politike dhe të vijojë punën e tij, është sot i sulmuar nga çdo anë.
Sot më shumë se kurrë më vjen në mend ajo shprehja e famshme e kohës së diktaturës “Të punojmë dhe jetojmë si në rrethim”.
Edhe nëse na bëhet një padrejtësi, nuk ke se ku ta kërkosh të drejtën. Institucionet nuk duan t’ja dinë, në gjykata dosjet hidhen në një cep dhe harrohen etj etj.
Nuk dua të zgjatem më shumë në këto argumenta sepse ju sot keni ardhur për tu kënaqur në një panair i cili mund të quhet ndryshe edhe festa e kulinarisë dhe në festa flitet vetëm për gjëra të bukura apo jo?
Por ama, asnjëri nga ju nuk duhet të harrojë sakrificat e jashtëzakonshme që ne bëjmë për të rezistuar dhe ecur përpara.
Ne jemi një skuadër shumë e mirë, me shumë kurajo. Tek “Neranxi”, lufta për të na mposhtur është mision i pamundur, sepse është shumë e vështirë të mposhtësh njerëz që nuk dorëzohen.
Dhe ne prandaj jemi sot këtu, sepse nuk jemi dorëzuar asnjëherë!
Sot në panair ju do të keni mundësi të njiheni më produkte të reja, atrecatura, amabalazhe, teknika interesante nga master chefa të famshëm të cilët do të demonstrojnë live përgjatë gjithë ditës, në auditorin e ri, që inagurojmë sot.
“Neranxi Group” që në krijimin e tij 32 vite më parë, ka patur një strategji pune e cila ka të bëjë me investimin e përhershëm. Ne nuk i kemi ndërprerë investimet për asnjë moment. Zgjerimi i investimeve infrastrukturore, burimeve njerëzore etj, janë disa nga sekretet e suksesit në biznes.
Ka prej atyre që gëzohen kur shohin një llogari bankare që rritet dhe i shërbejnë vetëm atij qëllimi, ne gëzohemi kur rrisim investimet. Në këtë mënyrë rrisim shërbimet, cilësinë, imazhin dhe lartësojmë emrin tonë.
Në biznes ka një rregull, nuk duhet të ndalosh në asnjë moment dhe për asnjë arsye. Edhe nëse shikon që ndonjë konkurrent po kopjon ato ide për të cilat ti je lodhur derisa i ke materializuar, ska problem, ne nuk demoralizohemi, sepse ata kopjojnë ato që kemi bërë, jo ato që do të bëjmë, pra janë gjithmonë mbrapa. Jo rastësisht sllogani ynë është “Gjithmonë një hap përpara”.
Së fundi dua ta mbyll me një shprehje të një burri të madh, Winston Churchill.
Ai thotë: “Suksesi nuk është asnjëherë i përhershëm, dështimi nuk është asnjëherë fatal, ajo që ka rëndësi është kurajoja për të vazhduar dhe ecur përpara!”
Faleminderit të gjithëve!













