Panairi Profesional Kulinar “Neranxi Food 2024”

Fjala përshëndetëse e Z. Nikollaq Neranxi, President i Neranxi Group

Përshëndetje të gjithëve dhe mirëse keni ardhur në eventin më të rëndësishëm të vitit, në Panairin Profesional “Neranxi Food 2024”.

“Neranxi Group” i cili në vite është rritur dhe tashmë përbëhet nga disa aktivitete, të gjitha të lidhura me sektorin ushqimor dhe kulinarinë si profesion, organizon prej 17 vitesh këtë event kaq impenjativ, por shumë të dobishëm për klientët tanë.

Panairet janë mundësi të arta për tu takuar me njëri tjetrin dhe për të perfeksionuar punën e secilit. Klientët tanë të cilët operojnë më së shumti në sektorin e Hoteleri Turizmit, rrisin për ditë aktivitetin e tyre si dhe kërkesën ndaj nesh për më shumë risi, produkte te reja, burime njerëzore, teknika kulinarie avanguardë dhe shërbime të tjera.

Ne shpeshherë i paraprijmë e disa herë të tjera, plotësojmë kërkesat e tyre. Të punosh në sektorin e ushqimit është shumë bukur, por dhe shumë e vështirë.

Por ka një sekret që këto vështirësi i bën të papërfillshme dhe kjo është dashuria dhe pasioni me të cilën ne e bëjmë këtë punë.

Madje edhe kur na luftojnë, kur përpiqen të na baltosin, kur paraja e pistë tenton të na gjunjëzojë dhe kur nuk ia dalin, arrijnë të blejnë njerëz të rëndësishëm në këtë biznes, si psh aksioner, ne përsëri nuk e humbasim dëshirën, energjinë, pasionin dhe dashurinë e madhe për të punuar dhe për të bërë më të mirën për klientët.

Shpesh bashkëpunëtorët e mij në punë, më sugjerojnë që të mos jem kaq i drejtpërdrejtë në komunikime publike. Kjo sepse emri dhe figura ime është e lidhur me atë të bizneseve që drejtoj. Por unë mendoj ndryshe, mendoj se njerëzit e vlerësojnë shumë të vërtetën e cila thuhet troç dhe pa zbukurime.

Ne të gjithë jetojmë në njëjtin realitet, madje edhe problemet i kemi shumë të ngjashme. Nuk ka arsye që të sillemi si hipokritë me njëri tjetrin.

Vite më parë, kur pashë si të gjithë ju, që krimi po lidhej fort me politikën dhe paratë e pista po investoheshin në biznese, edhe në cilësinë e Kryetarit të një Shoqate biznesi, unë dhashë alarmin se kjo gjë po rrezikon sipërmarrjet ekzistuese të bëra me rrugë të ndershme, me investime prej disa dekadash. Ne sot përballemi me këta njerëz në biznes, përballemi me njerëz shumë të afërt që ata kanë rekrutuar dhe mashtruar, për të na dëmtuar. Është realitet shumë i hidhur, por kjo është e vërtëta.

Ashtu siç ka dhe një vërtetë tjetër shumë të madhe, se janë pikërisht ngjarje si këto, ku ne kemi mundësi të testojmë forcën tonë. Dhe më besoni, unë jam pafundësisht i lumtur dhe falenderues se forcës time i bashkangjitet çdo ditë forca e jashtëzakonshme e stafit tim të mrekullueshëm.

Janë këta djem e vajza, burra dhe gra kaq punëtorë, kaq profesionistë, kaq të mençur e kaq këmbëngulës, burim frymëzimi i jashtëzakonshëm, për të ecur përpara, sepse ata të gjithë e konsiderojnë këtë punë si të ishte e tyre dhe në fakt kanë shumë të drejtë.

Të gjithë ne së bashku, duke jetuar në përditshmërinë e punës tonë edhe histori të pakëndshme si dhe duke u përballur me shumë padrejtësi, kemi kuptuar se asgjë nuk e mposht një skuadër fituese e cila ka dashuri për punën dhe për të bërë vepra të mira për shoqërinë, madje as paratë e pisëta të krimit nuk e mposhtin dot.

Ne sot jemi më të fortë se kurrë, njerëzit na besojnë, klientët shtohen për ditë, kompanitë prestigjioze ndërkombëtare duan të punojnë me ne, puna jonë rritet dhe ky është i vetmi realitet i rëndësishëm për ne.

Ne jemi skuadra Neranxi, të fortë, të suksesshëm dhe të pamposhtur!

Faleminderit!

Evente të tjerë

× Si mund t’ju ndihmojmë?