





























Përshëndetja e Z. Neranxi!
Përshëndetje të gjithë ju që i jeni bashkuar kësaj feste të kulinarisë të cilën Kompania Neranxi prej 10 vitesh, e ka kthyer tashmë në një traditë. Panairi i Kuinarisë është risi, shije dhe bukuri. Sepse arti i kulinarisë është i tillë, ai është art utilitar, pasi ka të bëjë me ushqimin tonë të përditshëm, ndërkohë ne që merremi me këtë sektor, kujdesemi që ai të jetë sa më cilësor, me shije, por edhe estetikisht i bukur.
Kompania Neranxi ka aq vite jetë në treg sa ç’ka jetë edhe ekonomia e tregut në Shqipëri. Kjo sepse familja jonë gjithmonë ka ëndërruar për të patur një aktivitet privat edhe para viteve 90, por nga ana tjetër nuk e imagjinonim që aktiviteti ynë që do rritej dhe do zgjerohej kaq shumë, si një nga 200 bizneset më të mëdha në vend. Dhe mos harroni, nuk kemi bërë ndonjë bashkim aktivitetesh me dikë tjetër, vijojmë të jemi një kompani familjare ku katër breza kemi punuar dhe punojmë me përkushtim për të përsosur çdo ditë cilësinë dhe shërbimet tuaja. Dhe ju siguroj se kjo rrugë do vazhdojë, sepse për ne, përsosmëria nuk është një destinacion, por një udhëtim që nuk mbaron kurrë.
Udhëtimi ynë filloi me disa dyqane të vogla ku shisnim kryesisht erëza. Sipërmarrës të huaj, në fillim të viteve 90, më këshillonin të merresha me këtë sektor sepse ishte i vështirë, por shumë i bukur. Në fakt të merresh me sektorin ushqimor është e vështirë. Me gjithë respektin që kam për çdo lloj biznesi, realisht është më i vështiri, nëse aspiron ta bësh mirë. Në vite ne kemi konsoliduar tashmë sektorët e lëndëve të para për industrinë ushqimore, për bare, restorante, bukëpjekës, catering, fast-foode, hoteleri, sektorët e ambalazheve dhe atrecaturave, linja te kuzhinave aziatike, meksikane etj. Kemi linja shtypshkronjash për kuti dhe ambalazhe, linja përpunimi të lëndëve të para dhe çdo sektor zgjerohet nga dita në ditë, jo vetëm sipas nevojave të tregut shqiptar, por mbi të gjitha sipas trendeve të vendeve të zhvilluara të cilat ecin me ritme shumë të shpejta.
Ndërsa në këtë vend ku ne jetojmë, të kërkosh të ecësh shpejt, të përsosesh përditë në aktivitetin tënd dhe të mendosh si të bësh punë të bukura, vetëm me djersën tënde, me idetë e tua, me vizionin tënd e për ta përkthyer në sukses, duhet të jesh një lloj aventurieri me kurajo prej të çmenduri. Nuk e kam problem ta pohoj se unë që drejtoj këtë kompani, mesa duket i paskam edhe këto cilësi. Kam lexuar shumë libra që flasin mbi suksesin në biznes, kryesisht nga autorë amerikanë. Në secilin prej këtyre librave, mesazhi është pak a shumë i njëjtë: “Një njeri ngre një biznes të suksesshëm, nëse ka ide, vizion, që beson fort tek ëndrra e tij dhe që punon ditë për ditë për ta bërë atë ëndërr realitet”. Por në Shqipëri, vetëm me kaq cilësi, një sipërmarrës falimenton. Këtu ose duhet të jesh klient i pushtetit, i cili të jep favore dhe me të cilin ndan paratë, ose përndryshe rruga jote do të jetë një ferr i vërtetë. Unë nuk kam pranuar të shes lirinë time për ca para më shumë, unë e dua këtë punë që bëj dhe nuk dua ta ndaj me asnjë pushtetar të cilët për hir të së vërtetës nuk ia kanë idenë se çfarë pune është kjo, se ata vetëm drogë dinë të shesin, tani kanë mësuar edhe PPP. Unë kam vendosur që jo vetëm mos t’i ngatërroj me biznesin tim, por t’iu dal përballë duke i identifikuar si armiq të biznesit të ndershëm dhe të shoqërisë shqiptare e cila kërkon dhe meriton një vend normal. Kjo filozofi e imja vlen për dje, për sot dhe për nesër.
Nuk kam nevojë të tregoj shumë histori, ju e mbani mend, një vit më parë, ishim në këtë panair, kur forca të shumta policore erdhën të më arrestonin sepse disa klientë kishin parkuar keq. Ai incident i shëmtuar i cili siç e dini u mediatizua shumë dhe për të cilin unë kam hedhur në gjyq policinë e shtetit, ishte prova e forcës e shtetit, me një biznesmen rebel që nuk pranoi të ishte as pjesë e tyre, por as t’ju nënshtrohet. Neranxi ishte sipërmarrësi i cili në krye të një shoqate tregtarësh, kishte protestuar për taksat e larta, që kishte çuar ligjin e super gjobave në Kushtetuese dhe e kishte fituar, prandaj i duhej dhënë një mësim i mirë.
Ju kërkoj ndjesë që fola pak në vetë të pare, por fati i një aktiviteti, është i lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e lidershpit të tij. Unë sot jam armiku i përbetuar i këtij pushteti mafioz dhe kriminal dhe natyrisht që aktiviteti i Kompanisë është vënë jo pak në vështirësi. Prandaj këta njerëz që punojnë përditë tek Kompania “Neranxi”, si dhe tek Instituti Kulinar Neranxi, janë heronj të vërtetë sepse iu duhet të shohin skena të tilla të shëmtuara në ambientet e punës së tyre, të përballen me arrogancën dhe papërgjeshmërinë e institucioneve shtetërore, ndërkohë që duhej të përqendroheshin që të jepnin më të mirën për klientët dhe për studentët që ne mësojmë përditë.
E megjithatë ne ia kemi dalë dhe vijojmë të jemi të fortë dhe të suksesshëm në punen tone. Siç e shihni kemi organizuar një panair madhështor në këtë jubile, jemi te rrethuar me shumë miq dhe dashamirës dhe mbi të gjitha jemi optimistë që e nesërmja do të jetë më e mirë për të gjithë. Ju falenderoj edhe një herë të gjithëve që keni ardhur. Ndjehemi të nderuar nga prezenca juaj!