Neranxi Food Festival 2021, festohet 30 vite aktivitet

Fjala përshëndetëse e zotit Nikollaq Neranxi!

Përshëndetje të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në Panairin 14 të Kompanisë Neranxi të cilin sivjet e kemi pagëzuar me emrin “Neranxi Food Festival”.
Jemi në 30-vjetorin e krijimit të Kompanisë Neranxi, prandaj përshëndetja ime për ju sot, do jetë disi më ndryshe, pak më nostalgjike mbase.
Tri dekada janë shumë, por me sinqeritet ju them se mua këto vite më kanë ikur shumë shpejt. Pasioni dhe dashuria e madhe për punën, ka bërë që tashmë nuk arrij ta kuptoj se ku mbaroj unë si individ dhe ku fillon puna ime. Më duket sikur jemi bërë një, gjatë rrugëtimit tonë dhe një jete kaq intensive.
E meqë koha iku kaq shpejt, kujtimet se si vendosëm bashkë me familjen time të krijojmë një aktivitet privat, ndër të parët në Shqipëri, i kam shumë të freskëta.
Para viteve 90-të ne kishim ëndrra për të patur diçka private, tonën, por nuk e mendonim se do ta realizonim ndonjëherë. Unë pata fatin që të kaloj kufijtë e Shqipërisë në vigjilje të transformimeve të mëdha në vend dhe aty pashë dhe preka nga afër ekonominë e tregut, ndërkohë fillova të mendoj seriozisht për një punë timen.
Shikoja se si punonin biznese të ndryshme, mundohesha ti studioja, të kuptoja sekretet e tyre. Psh nuk arrija ta kuptoja pse një X restorant është gjithmonë plot, ose pse një produkt i caktuar ka kaq sukses edhe pse kishte kaq shumë të tjerë të ngjashëm në treg, pse një biznes shërbimesh mbante një listë të gjatë pritjesh dhe njerëzit zgjidhnin gjithmonë atë edhe pse tregu ofronte plot të tjerë?
E duke bërë gjithë këto pyetje, pa kuptuar, isha nisur që përgjigjet e tyre, t’i gjeja duke punuar në biznesin tim. Isha i vetëdijshëm se ëndrrat dhe pasioni janë elementë të rëndësishëm për të filluar, por më pas e dija mirë se vetëm me shumë punë, do arrija t’i konkretizoja ëndrrat.
Edhe unë, si shumica prej jush, kam lexuar histori suksesi biznesi, kam lexuar për biznese të cilat u bënë të famshme nga rastësitë, nga fati, nga gjenialiteti i një lideri apo talenti i atyre që punësuan. Mirëpo unë nuk kam pritur kurrë që të ndodhë ndonjë rastësi fatlume ose ndonjë mrekulli, që të kem sukses, madje as kam pranuar të bëj kompromise që shkojnë kundër idealeve të mia, për këtë arsye. Përkundrazi, kam menduar se edhe ai restoranti që është plot, edhe ai produkti që shitet shumë, me të vërtetë mund të kenë bërë një marketing shumë të mirë, por nuk ka dyshim që cilësia, shërbimi dhe çdo gjë tjetër, ka qenë më lart se të tjerët.
Ka libra, filma, artikuj, të cilët nisin me titullin sensacional:  “Ju rrëfej sekretin e biznesit tim”.
Në fakt nuk ka asnjë sekret, gjithçka është vetëm fryt i një pune sistematike, akumulim i kompetencave ndër vite, pra eksperiencë e gjatë, të cilat të diktojnë rrugën drejt përfeksionit. Edhe gjenitë e disa biznesve si Mark Zuckerberg, apo Steve Jobes, kanë patur ide për të krijuar biznese të cilat gjenerojnë sot miliarda dollarë fitime në vit, por ama secili prej tyre ka pohuar se kanë punuar fort për të materializuar idetë e tyre gjeniale.
Pra asnjë ide nuk vlen nëse nuk punon, ashtu sikurse asnjë shumë e jashtëzakonshme parash, nuk të siguron sukses, nëse nuk ke vizion.
Në 30 vite aktivitet, jam me të vërtetë i lutmtur teksa kthej kokën pas dhe shoh rrugëtimin e Kompanisë, patjetër shoh edhe momentet tona të vështira, gabimet tona, por e rëndësishme është se nuk kemi gabuar në elementët më të rëndësishëm: strategjinë, misionin dhe vizionin.  Vlerat tona kanë qenë të panegociueshme në çdo rast. Kemi luftuar shumë që të forcojmë markën Neranxi dhe kjo shpesh edhe me kosto të lartë. Sepse, nëse fokusohesh tek marka, me të vërtetë nuk do kesh menjëherë fitimet që meriton, por themelet që ngre janë të forta dhe rruga është e gjatë dhe e sigurtë.
Qëllimi dhe misioni ynë kanë qenë që klientët e Neranxit të jenë të kënaqur nga puna jonë, nga produktet që sjellim, nga asistenca dhe çdo shërbim që ata kanë nevojë. Ia kemi arritur me sukses bashkë me stafin tim dhe Neranxi është aty ku e meriton, sot pas 30 vitesh, ndërkohë që vijojmë të kemi të njëjtën dëshirë dhe adrenalinë për punë, të njëjtin synim për të eksploruar dhe për të sjellë risi, të njëjtin predispozicion për t’ju shërbyer.
Kompania jonë i ka ca vite mbi supe, por është kaq e re, dinamike dhe e freskët në mënyrën se si performon në treg. Kjo është krenaria jonë, është suksesi ynë, por jo vetëm i yni si kompani, por është sukses i përbashkët, sepse ne me klientët tanë jemi një, sytë tanë janë tek ata, kur kënaqen ata, ne themi, misioni ynë u përmbush me sukses,
Faleminderit të gjithëve!

Evente të tjerë

× Si mund t’ju ndihmojmë?