Historia

IKN, 14 vite histori suksesi!

Mbas 30 vitesh pune intensive në kompaninë “Neranxi”, ku aktiviteti ishte rritur shumë, me sugjerimin e disa specialistëve italianë të cilët vinin në Shqipëri për asistencë teknike për klientët e Neranxit, lindi ideja e një shkolle profesionale. Kjo sepse klientët kërkonin të dinin më shumë rreth profesionit që zhvillonin, pasi njohuritë e tyre ishin të kufizuara. Asistentët italianë ishin të mendimit që seminaret edhe pse të shpeshta, tashmë nuk mjaftonin dhe duhej patjetër që Kompania “Neranxi” të investonte në një shkollë të vërtetë profesionale kulinarie. Presidenti i Kompanisë Neranxi, zoti Nikollaq Neranxi ishte shumë entuziast mbi këtë projekt. Mbase mund të ishte entuziasti i vetëm pasi në atë kohë, të investoje për një shkollë kulinarie, dukej një çmenduri. Shkolla kërkonte një buxhet marramendës dhe të rinjtë e asaj kohe nuk dukeshin shumë të prirur për tu bërë kuzhinierë. Mirëpo siç thotë një shprehje: “Sipërmarrësit e suksesshëm janë ata që kuptojnë se ka pak ndryshim mes pengesës dhe mundësisë dhe janë në gjendje t’i kthejnë të dyja në avantazhin e tyre.” Pra zoti Neranxi e dinte se ajo që në atë kohë dukej si pengesë, më pas do të kthehej në një mundësi të jashtëzakonshme. Mundësi për të rinjtë shqiptarë të cilët në atë kohë po merrnin diploma në profesione që mund të mos i ushtronin kurrë, për ata të rinj të cilët të pashpresë zgjidhnin rrugën e emigrimit, por një mundësi gjithashtu edhe për tregun të cilit i mungonin profesionistët e vërtetë të kulinarisë.

Kështu, në vitin 2009 u çel “Instituti Kulinar Neranxi”. U pagëzua me emrin e kompanisë meqë ishte investuar fort në atë logo dhe ai emër tashmë ishte një garanci cilësie dhe suksesi në treg. Meqë regjistrimet e para ishin kryesisht klientët e kompanisë, u aplikuan çmime modeste dhe inkurajuese. Madje mund të thuhet me plot gojë se në vitet e para, Kompania “Neranxi” ka qenë mbështetësi i vetëm financiar i shkollës, sepse shpenzimet që bën një student janë mjaft të larta, pasi ata krahas teorisë, gatuajnë dhe degustojnë çdo ditë. Investimi në infrastrukturë ka qenë gjithashtu një sfidë më vete. Laboratorët e praktikës, janë që të gjitha brenda standarteve perëndimore dhe bashkë me ambientet e tjera didaktike, pasurohen çdo vit, duke u bërë shkolla kulinare unike në Ballkan me një investim kaq madhështor. Mendojmë se gjithë kjo punë dhe sakrificë ia ka vlejtuar, sepse sot ne shohim rezultatet e punës tonë, nëpërmjet të gjithë atyre që kanë marrë diplomat tek ne. Tashmë edhe klientët tanë i kanë marrë përgjigjet që kërkonin gjatë punës së tyre dhe rezultatet i shohin dhe i prekin çdo ditë konsumatorët, në hotele, bare, furra buke, pastiçeri, restorante, fast-food-e etj. Ata tashmë kanë gjithçka që iu duhet, produkte cilësore nga Kompania Neranxi dhe burime njerëzore me shkollimin më të mirë tek Instituti Kulinar Neranxi.