Fjala përshëndetëse e Presidentit të “Neranxi Group”, Z. Nikollaq Neranxi.
Përshëndetje të gjithëve, studentë, docentë e të ftuar!
Instituti Kulinar Neranxi sot mbush 15 vite, pra ka pak a shumë moshën e studentëve tanë, por ka një jetë të mbushur me aq shumë ngjarje, sikur të ishte 100 vjeç.
Ju besoj të gjithë e dini se të kërkosh të ndërtosh gjëra të bukura në Shqipëri, është shumë e vështirë dhe shumë sfiduese. E tillë ka qenë edhe rruga drejt ngritjes së një shkolle e cila nuk duhej kurrsesi të ishte një kioskë e rëndomtë, por një institucion arsimor profesional me parametra dhe standarte perëndimore në çdo aspekt.












Sot shkollën e kemi në perfeksion, edhe puna e madhe që bëmë për vite me rradhë me të rinjtë që të zgjidhnin një shkollë kulinarie, rezultoi shumë e suksesshme. Kemi me qindra të rinj të diplomuar të cilët punojnë në biznese të rëndësishme të hoteleri turizmit dhe janë të superpaguar.
Por sot jemi përpara një vështirësie tjetër të cilën ne nuk e kishim parashikuar. Sot ne diplomojmë me qindra të rinj çdo vit dhe përsëri nuk arrijmë të plotësojmë nevojat e tregut me specialistë kulinarie. Këtë vit, me anë të Agjencisë së Punësimit Neranxi ne arritëm të mbyllim marrëveshje punësimi për të gjithë studentët tanë që në mars, ndërkohë që kërkesa e bizneseve vijonte dhe ne nuk kishim më studentë.
Kjo ndodh për dy arsye, së pari sepse sektori i hoteleri turizmit është zgjeruar shumë vitet e fundit dhe e dyta sepse të rinjtë tanë po ikin masivisht.







Ju me siguri e keni parë spotin që kemi përgatitur së fundmi me slloganin “Mos u largo nga Shqipëria”! Natyrisht ju jeni njerëz të lirë dhe mund të zgjidhni të jetoni e punoni ku të doni. Ne ju këshillojmë që të merrni një profesion para se të vendosni për të ikur, por edhe pas diplomimit, unë do ju sugjeroja që të shqyrtonit me seriozitet të gjitha ofertat e punës në Shqipëri. Pagat e specialistëve të kulinarisë janë rritur shumë, sidomos nëse ju keni mësuar shumë mirë në shkollë dhe bëni diferencën nga të tjerët. Këtu jetoni pranë familjarëve tuaj, flini në shtëpinë tuaj, kaloni kohë me miqtë tuaj. Duhet ti vlerësoni me shumë kujdes të dyja alternativat. Ne kemi shumë ish studentë që janë punësuar deri në Amerikë dhe Australi dhe janë super të suksesshëm. Por merrni parasysh që Shqipëria sot është për ju një opsion për tu marrë seriozisht.



























Edhe për bizneset Neranxi është shumë e rëndësishme që ju të punoni këtu, sepse zhvillimi i sektorit të hoteleri turizmit në Shqipëri, është zhvillim dhe progres edhe për punën tonë. Kjo ka qenë edhe arsyeja që ne kemi aplikuar një politikë çmimesh të ulëta dhe shumë shpesh edhe subvencionime të
gjithë bursës për studentët tanë. Iu a kam thënë edhe studentëve të viteve të kaluara dhe po ju a them edhe ju, pagesat që ju bëni për tu shkolluar nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet tuaja. Ne investojmë për secilin prej jush.



















Çdo shkollë kulinarie në botë është sot për sot shkolla më e shtrenjtë nga pikëpamja financiare.
Por ne kemi investuar që ju më pas të jepni kontributin tuaj këtu në vendin tuaj. Siç ju thashë edhe më lart, ju jeni të lirë të zgjidhni, ne vetëm do gëzohemi për sukseset tuaja, por përsëri ju këshilloj të punoni në Shqipëri.
Së fundmi dua t’ju uroj një vit shkollor të suksesshëm. Infrastruktura dhe stafi akademik këtë vit janë në një nivel shumë më të lartë se vitet e kaluara. Madje kemi një staf akademik ndërkombëtar dhe për këtë arsye shkolla duke filluar nga sivjet është gati të mirëpresë studentë nga e gjithë bota.
Shpresoj shumë që ju ta vlerësoni investimin tonë duke mësuar shumë dhe duke u bërë më të mirët në treg.
Faleminderit!


















