Çelja e vitit të ri akademik 2022-2023 në IKN

Fjala e Presidentit të IKN, Nikollaq Neranxi!

Përshëndetje të gjithëve! Sa më shumë kalojnë vitet, aq më pak e ndjej të nevojshme të prezantoj para jush Institutin Kulinar Neranxi. Tashmë këtë shkollë e njohin të gjithë, jo vetëm studentët e saj.
14 vite rrugëtim, kanë rritur dhe lartësuar emrin e saj, duke e bërë të njohur brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë shumë prej jush mund ta keni pyetur veten se si ka mundësi që tek Instituti Kulinar Neranxi ka mijëra studentë të regjistruar çdo vit. Është një rritje e jashtëzakonshme dhe e pakrahasueshme me asnjë shkollë të ngjashme. Natyrisht studentët e rinj do ta marrin përgjigjen e kësaj pyetjeje sapo të nisin studimet, por unë sot do ju rendis shkurt disa arsye. Instituti Kulinar Neranxi, që në ditën e parë të krijimit, nuk u konceptua si një aktivitet ku të ardhurat do të ishin qëllimi. Madje edhe sot pas 14 vitesh, Neranxi Group me të gjitha bizneset e tij, vetëm e ka mbështetur financiarisht shkollën dhe çdo e ardhur e gjeneruar prej saj, është investuar në infrastrukturë dhe staf akademik, vetëm për ju. Kjo frymë, dimensioni social, dëshira që të rinjtë të marrin një profesion kaq të bukur dhe ndihma që ne iu japim atyre në të gjithë rrugëtimin për tu bërë profesionistë, e ka bërë shkollën tonë shumë të dashur dhe të kërkuar nga të gjithë. Mënyra se si mësohet në Institutin Kulinar Neranxi është gjithashtu shumë e veçantë. Ne investojmë çdo vit në infrastrukturë dhe në staf akademik. Gjithashtu në dispozicionin tuaj kemi vëmë një gamë të gjerë produktesh, mund të them një investim të jashtëzakonsh në terma monetarë, në mënyrë që ju të mësoni të gatuani çdo gjë, me një program aq të zgjeruar dhe të detajuar, sa edhe po të shkoni nesër të punoni në hotelin më luksoz, në Shqipëri ose jashtë, është e pamundur që të mos njihni ndonjë produkt apo recetë, sado e rrallë të jetë ajo. Me një fjalë ne nuk kursejmë asgjë, që ju të mësoni gjithçka.
Ky nivel kaq i lartë i mësimdhënies, me të drejtë ju bën optimistë dhe ju forcon bindjen se edhe niveli juaj nesër si profesionistë, nuk do të ketë të krahasuar me të tjerë që nuk janë shkolluar tek Neranxi.
Kur ju do diplomoheni dhe punësoheni, askush nuk mund ta kuptojë se ajo është puna juaj e parë apo t’ju trajtojë si fillestarë. Pse ndodh kjo? Sepse, docentët tanë, pasi ju mësojnë artin e bukur të gatimit, ju aftësojnë edhe në drejtime të tjera. Ju mësoni se si të punoni në grup, si të koordinoheni me njëri tjetrin, si të respektoni kohën e gatimit deri në momentin e shërbimit në restorantin tonë didaktik. Kjo ju bën ju që të performoni nesër në punën tuaj, si profesionistë me eksperiencë. Gjatë kohës kur ju do studioni në Institutin Kulinar Neranxi, çdonjëri prej jush që ka dëshirë ose nevojë të japë kontributin e tij apo të praktikohet në bizneset e Neranxi Group me orë të limituara, do të jetë i mirëpritur, madje do të ketë edhe shpërblim financiar. Edhe pas mbarimit të shkollës, krahas kujdesit për punësimin tuaj me anë të Agjencisë së Punësimit Neranxi, ju do të jeni gjithashtu të mirëpritur që të punoni me ne.
Së fundi dua vetëm t’ju përgëzoj dhe t’ju falenderoj që na keni zgjedhur dhe ju garantoj se vitet e shkollës, do të jenë vite shumë të bukura për ju, gjithashtu do të jenë fillimi i rrugëtimit të jetës i shoqëruar me ëndrra të mëdha, sepse do ta kuptoni se ëndrrat nisin të bëhen realitete të prekshme, sapo merr një diplomë tek Instituti Kulinar Neranxi.
Suksese të gjithëve!

Evente të tjerë