





















Përshëndetja e Z. Nikollaq Neranxi! Përshëndetje të gjithëve, nxënës, prindër, profesorë, docentë dhe miq të Institutit Kulinar Neranxi. Një përshëndetje e veçantë shkon për nxënësit e vitit të parë, të cilët këtë vit na kanë surprizuar pasi kanë qenë me të vërtetë të shumtë në numër. Faleminderit që keni zgjedhur markën Neranxi!
Kam bindjen se sot është një ditë e bukur për ju, sepse nxënësit ekzistues i kam parë se sa me dëshirë e përvetësojnë ditë pas dite profesionin e bukur të kuzhinierit. Gjithashtu kam parë edhe të rinjtë që janë regjistruar sivjet, sa të lumtur janë për nisjen e këtij rrugëtimi të rëndësishëm në jetën e tyre. Ata kanë ëndërruar të bëhen profesioniste të artit të kulinarisë dhe kur ëndrra nis të bëhet realitet, padyshim që ndjehesh shumë i motivuar.
Edhe ne si staf drejtues dhe akademik, mezi presim të rifillojmë punën me ju, ashtu siç kemi bërë për 12 vite me rradhë. Por sivjet mbase kemi një ndjesi akoma më pozitive, kemi më shumë optimizëm, sepse vijmë nga një sezon veror shumë i suksesshëm.
Të diplomuarit e Institutit Kulinar Neranxi, janë punësuar të gjithë, pa asnjë përjashtim! Kjo falë punës së vazhdueshme që bën Agjencia e Punësimit Neranxi, por edhe falë profesionalizmit të lartë që tregojnë të diplomuarit e Neranxit. Sepse ne ju a gjejmë punën, por aftësia juaj bën që ju ta mbani atë.
Nuk kishte gjë më të bukur se sa të shikoje, në çdo resort, hotel, restorant, bar, pub, disko, gjithandej, nxënësit tanë të cilët në stafet e tyre, spikasnin si më të mirët. Punojnë, paguhen shumë mirë, janë të lumtur sepse kanë kuptuar se si një profesion i mirë, të ndryshon jetën!
Ju a them të gjitha këto, që të kuptoni se cili do të jetë destinacioni juaj, çfarë ju ofron e ardhmja, prandaj ju përgëzoj për zgjedhjen që keni bërë, ju tashmë jeni në vendin e duhur.
Siç e dini, shkolla ka kurse disa mujore, deri në dy vjet dhe viti i tretë ju jep diplomën për Master Chef. Nëse doni mendimin tim, ju duhet të synoni të bëheni master chef, punoni fort dhe merrni maksimumin nga kjo shkollë. Do ta shihni që ky investim do ju shpërblehet.
Tani do ju them disa gjëra shkurt mbi adoptimin e shkollës sonë, me situatën e re të krijuar nga pandemia. Padyshim që po përjetojmë një eksperiencë të re, e cila mbart rrezik, frikë, pasiguri. Të gjithë ashtu ndjehemi, por kjo nuk do të thotë që ne të paralizojmë jetën tonë, duhet të besojmë dhe shpresojmë, që situata do të gjejë sa më shpejt zgjidhje, ndërkohë që ne kemi marrë të gjitha masat për sigurimin e shëndetit të nxënëve dhe stafit. Për këtë arsye kemi ndjekur me përpikmëri të gjitha rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe jemi konsultuar me protokollet e sigurisë së shkollave më të mira kulinare në perëndim.
Garantojmë nxënësit, por edhe prindërit e tyre, se nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar. Kemi marrë çdo masë që të parandalojmë përhapjen e Covid-19 në ambientet e shkollës sonë. Gjithashtu këtë vit kemi krijuar ambiente të reja për mësimin e teorisë dhe praktikës, për t’ju përgjigjur numrit gjithnjë në rritje të nxënësve, por edhe nevojës për një distancë më të madhe mes njëri tjetrit. Gjithçka është gati për ju.
Me detajet e protokolit të sigurisë së Institutit Kulinar Neranxi, do të njiheni në ditët në vijim.
Asgjë nuk do ta cënojë cilësinë e mësimdhënies dhe dëshirën e madhe për të mësuar sa më shumë dhe për tu bërë më të mirët. Madje vështirësitë na motivojnë për të punuar akoma më shumë.
Së fundi dua të ndaj me ju një tjetër element të rëndësishëm. Sivjet siç e keni parë edhe vetë, Instituti Kulinar Neranxi, ka ofruar regjistrime me çmime të ulëta, shumë larg çmimit real apo kostos që ka secili nxënës për të kryer procesin mësimor. Duhet ta dini se shkollat profesionale të kulinarisë, janë më të shtrenjtat në të gjithë botën. Kjo ka disa arsye, e para, praktika ka kosto ta lartë sepse ju gatuani dhe degustoni çdo ditë, e dyta stafi akademik ka gjithashtu kosto të lartë. Dhe e treta, sepse profesioni garanton pas diplomimit, pagë shumë të lartë. Në përgjithësi, jashtë e zgjidhin problemin e bursës, me një kredi, çdo bankë i jep kredi një nxënësi që studion për kulinari, sepse e di, që ai do punësohet menjëherë dhe më një pagë të mirë, pra garanton shlyerjen e borxhit, me rrisk zero.
Tek ne, ky proces akoma nuk ka hyrë në rrugën e duhur, janë problemet e bankave, jo tonat. Nga ana tjetër, situata ekonomike e familjeve shqiptare dihet, kësaj iu shtua edhe problemi i pandemisë, i cili sipas statistikave, ka varfëruar akoma më shumë shqiptarët. Prandaj duhet ta dini, se ato bursa, me ato çmime aq simbolike, janë dhuratë që Kompania Neranxi iu ka bërë ju, pasi pjesën tjetër të bursës, do ta paguajë Kompania Neranxi. Pra Ju jeni në këtë shkollë, me këto stadarte, sepse Kompania Neranxi ka investuar për ju. Dhe falenderimi më i madh që mund të na bëni, është vetëm të mësoni shumë, dhe të bëheni më të mirët. Unë kam besim se nuk do të na zhgënjeni.
Po e mbyll duke ju uruar suksese të gjithëve!
Faleminderit!