Tetë vite histori suksesi

Historiku i shkollës prodesionale “Instituti Kulinar Neranxi”

Mbas 25 vitesh pune intensive në kompaninë “Neranxi”, ku aktiviteti ishte rritur shumë, disa specialistë italianë që vinin në Shqipëri për asistencë teknike, japin idenë e një shkolle profesionale. Kjo sepse klientët kërkonin të dinin më shumë rreth profesionit që zhvillonin, pasi njohuritë e tyre ishin të kufizuara në pak gjëra. Asistentët italianë ishin të mendimit që seminaret edhe pse të shpeshta, tashmë nuk mjaftonin dhe duhej patjetër që Kompania “Neranxi” të investonte në një shkollë të vërtetë profesionale kuzhine. Kështu, në vitin 2009 u hap “Instituti Kulinar Neranxi”. U pagëzua me emrin e kompanisë meqë ishte investuar fort në atë emër dhe ai tashmë ishte një garanci cilësie dhe suksesi në treg. Meqë regjistrimet e para ishin kryesisht klientët e kompanisë, u aplikuan çmime modeste dhe inkurajuese. Madje mund të thuhet me plot gojë se në vitet e para, Kompania “Neranxi” ka qenë mbështetësi financiar i shkollës, sepse shpenzimet që bën një nxënës janë mjaft të larta, pasi ata krahas teorisë, gatuajnë dhe degustojnë çdo ditë. Investimi në infrastrukturë ka qenë gjithashtu një sfidë më vete. Laboratorët e praktikës, janë që të gjitha brenda standarteve perëndimore. Mendojmë se gjithë kjo punë dhe sakrificë ia ka vlejtuar, sepse sot në vitin e tetë të shkollës, ne shohim rezultatet e punës tonë, nëpërmjet të gjithë atyre që kanë marrë diplomat tek ne. Tashmë edhe klientët tanë i kanë marrë përgjigjet që kërkonin dhe rezultatet i shohin dhe i prekin çdo ditë konsumatorët, në furra buke, pastiçeri, restorante, fast-food-e etj.

Mësimdhënia dhe kurrikulat

Drejtuesit e Institutit Kulinar Neranxi janë krenarë për faktin se gati të gjithë studentët e tij janë të punësuar dhe shumica prej tyre kanë nisur biznesin e tyre me ndihmën e këshillimin e vetë shkollës. Instituti, gjithashtu, ruan lidhjet me studentët për të përditësuar njohuritë e tyre nëpërmjet organizimit të seminareve të hapura pa pagesë që organizohen nga specialistë dhe shefa kuzhine kryesisht të huaj, të cilët ftohen rregullisht nga drejtuesit e tij. Pjesa më madhe e studentëve janë të punësuar në Shqipëri, por disa janë të punësuar në vendet fqinje si Greqi e Itali.
Prioriteti dhe fjala kyçe e formimit është cilësia dhe kjo vërehet që nga profesorët e deri tek kualiteti i lartë i produkteve të përdorura për gatim. Në procesin e mësimdhënies, përparësi e veçantë i jepet praktikës mësimore që zhvillohet në laboratoret e pajisura me mjete bahkëkohore, në përshtatje me kualifikimin e kërkuar. Kështu, kursi i formimit mund të zgjasë nga tre muaj deri në dy vjet. Shkolla ka hartuar kurrikulën e saj, që është e miratuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kjo nënkupton se I.K.N lëshon për studentët e saj, mbas mbarimit të shkollës, çertifikata që njihen nga punëdhënësit.

Financimi dhe akomodimi

Shkolla subvencionohet nga biznesi. Shumica e studentëve që formohen në Institutin Kulinar Neranxi vetëfinancohen, por në vitet e fundit ka patur interes në rritje nga organizata jo qeveritare për të bashkëpunuar në fushën e formimit profesional dhe punësimit. Një nga shembujt më të mirë është eksperienca me Projektin e financuar nga Banka Botërore “Punësimi i të rinjve”. Nëpërmjet këtij programi janë mbështetur 50 të rinj e të reja të papunë, të cilët pas përfundimit me sukses të formimit profesional ne Institutin Kulinar Neranxi, janë punësuar në sektorin e hoteleri turizmit, ose kanë nisur një biznes familjar. Megjithëse pjesa më e madhe e studenteve vjen nga familje me nivel mesatar të ardhurash, që kanë mundësi të përballojne tarifat e formimit, shkolla përpiqet te mbështesë edhe studentë me deshirë dhe talent, që vijnë nga familje të varfra, ose studentë me aftësi të kufizuar fizike. Pjesa më e madhe e studentëve jetojnë në Tiranë dhe shkolla ofron mundësi transporti, apo akomodimi në konvikt kur studentët vijnë nga rrethe të tjera të Shqipërisë. Pak muaj më parë, Instituti Kulinar Neranxi lidhi një marrëveshje të rëndësishme me Veneta Banka për të ndihmuar me mikrokredi studentët e shkollës, gjatë kohës së shkollës, por edhe pasi diplomohen, ndihohen edhe për hapjen e biznesit privat të tyre.

Si mund të na kontaktoni

Ne ftojmë të gjithë të rinjtë që të bëhen pjesë e ëndrrës së madhe, për të marrë një profesion të bukur dhe të mirëpaguar nëse punon për të tjerët. Por ama, në fushën e kulinarisë shanset janë të mëdha për të çelur një biznes privat dhe për të pretenduar më shumë se një pagë, për të rritur kështu ndjeshëm të ardhurat personale. Jeni të mirëpritur!

Adresa: Autostrada Tiranë-Durrës, km 7, Yrshek
Yrshek, Tel: + 35542406500/501; +35542406636; cel; +355686040205; email: info@ikn.al; web: www.neranxi.al